image Raportimi i Sinjalit për sulm ndaj zyrtarit policor nga Pejani, flasin nga QKUK për gjendjen e të dyshuarit: Gjendja e tij është stabile

Siguri

Raportimi i Sinjalit për sulm ndaj zyrtarit policor nga Pejani, flasin nga QKUK për gjendjen e të dyshuarit: Gjendja e tij është stabile

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar për një incident që është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një qytetar ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Burime të sigurta të Sinjalit kanë bërë me dije se rreth orës 21:30 të datës 14 qershor 2025, patrulla e policisë ka ndërhyrë në disa parkingje ilegale në këtë zonë. Gjatë kontrollit, një qytetari i është shqiptuar një gjobë për parkim të kundërligjshëm, por ky reagoi me agresivitet të skajshëm.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari është Sefer Fetahaj, 33 vjeçar, i cili ka filluar t’i fyejë rëndë zyrtarët policorë.  Sipas burimeve, në tentativë për ta larguar me forcë nga zona, Fetahaj ka shtyrë zyrtarët dhe më pas është rrëzuar me fytyrë mbi trotuar, duke pësuar lëndime serioze në fytyrë.

Pavarësisht lëndimeve, ai ka tentuar të sulmojë përsëri policët, çka ka detyruar zyrtarët të përdorin forcë proporcionale dhe të domosdoshme, për ta neutralizuar situatën.

Si pasojë, Fetahaj është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Për Sinjalin, ka folur mjeku kujdestar në QKUK, Naser Syla duke njoftuar se gjendja e pacientit është stabile.

“Pacienti është trajtu në QE dhe pas trajtimit është transferu në klinikën e Kirurgjisë,  MF, , derisa gjendja e tij është stabil”, tha Syla për Sinjalin.

Lidhur me rastin, hetuesi kujdestar ka informuar Prokurorin e Shtetit, ndërsa pritet vendimi për veprimet e mëtutjeshme ligjore ndaj të dyshuarit. Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/