Policia e Kosovës ka arrestuar sot Isak Muslin, një person i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Lajmi u raportua ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga vetë Policia e Kosovës përmes një deklarate zyrtare.
Sipas informacioneve zyrtare, arrestimi është kryer sot, më 21 maj 2025, rreth orës 14:30. Në përgjigjen dhënë për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personi i arrestuar ishte subjekt i një arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet maqedonase.
“Policia e Kosovës, sot më 21.05.2025, rreth orës 14:30, ka arrestuar një person i cili kishte urdhër arrest aktiv ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Autoritetet policore kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Isak Muslin, i cili kërkohej nga organet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi veprën penale apo rrethanat e saj.
Policia ka njoftuar gjithashtu se, pas arrestimit, do të vazhdojnë të zhvillohen të gjitha procedurat ligjore të parashikuara për raste të tilla, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse brenda dhe jashtë vendit.
“Ndaj personit të arrestuar, do të vazhdojnë procedurat nga institucionet përkatëse që zbatohen për raste të tilla”, thuhet më tej në njoftim.
Ende nuk është bërë e ditur nëse ka nisur zyrtarisht procesi i ekstradimit të Muslit drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa institucionet përgjegjëse pritet të japin më shumë informacione në ditët në vijim.
Ky arrestim konsiderohet si pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e krimit të organizuar dhe ndjekjen e personave që i shmangen drejtësisë në vendet e tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit