Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës për një rast që ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, për një pjesë të tokës, ku ankuesi, në këtë rast Bajram Januzaj ka pretenduar se Besim Jasiqi ka rrethuar në mënyrë ilegale një parking, që ai pretendon se është toka e tij.
Derisa, për Sinjalin ka folur Besim Jasiqi, njëkohësisht edhe zyrtar policor, rreth pretendimeve të pronarit të restorantit “Grand Antika” në Gjakovë, Januzajt ka ngritur padi në gjykatë lidhur me një parcelë toke.
Jasiqi ka theksuar se tokën ai e ka blerë në mënyrë të ligjshme nga pronari Hysni Koshi, me marrëveshje të noterizuar dhe me pajtimin e dy palëve.
“Toka është blerë me kontratë shitblerjeje nga Hysni Koshi, e kemi me fletëposeduese dhe me të gjitha dokumentet e rregullta. Bajram Januzajt i ishte prishur një parakontratë që kishte bërë për këtë tokë në vitin 2021, dhe që nga ajo kohë ai nuk ka kontratë të vlefshme”, tha Jasiqi.
Ai shton se prona është në emër të tyre për më shumë se gjashtë muaj dhe për të paguajnë rregullisht tatimet.
“Me vëllain e pronarit kemi qenë në prag të një marrëveshjeje për t’ia shitur atij tokën, por më pas ai e prishi parakontratën. Ne e blemë tokën në mënyrë të ligjshme. e kemi blerë me kredi dhe kemi transferet bankare për ta vërtetuar”, deklaroi ai.
Ani se pronari i restorantit, në këtë rast ankuesi, Bajram Januzaj ka ngritur padi në gjykatë, ata ende nuk kanë marrë ndonjë veprim konkret.
“Toka është e jona edhe kemi të drejtë me rrethu apo çkado, e jo ata me vendos bërllog aty edhe me shfrytëzu për parking të bagerave e veturave”, u shpreh Jasiqi për Sinjalin.
Ndërsa, në anën tjetër, Bajram Januzaj është deklaruar se ai dhe familja e tij janë nën presion të vazhdueshëm, sepse siç ka pretenduar ai, Jasiqi ka përsëritur veprime të tillë shumë shpesh javëve të fundit.
Ai tutje ka deklaruar se persona të afërt me Jasiqin, të cilët siç thotë ai “kanë ndikim në sistemin e drejtësisë”, janë përfshirë në këtë situatë për ta detyruar të tërhiqet nga prona. “Kemi frikë se mos ndodh diçka më e rëndë nëse nuk ndërmerren masa”, thuhet në deklaratën e dhënë nga afaristi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!