image Raportimet për arrestime të një trajneri dhe referi kosovar, FBK del me një komunikatë

Basketboll

Raportimet për arrestime të një trajneri dhe referi kosovar, FBK del me një komunikatë

news image

Gjatë ditës së sotme u raportua për arrestimin e trajnerit kosovar, Arbnor Rifati, dhe referit Daut Mehmeti, nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve.

Lidhur me këto raportime, Federata e Basketbollit e Kosovës ka lëshuar një komunikatë.

FBK ka njoftuar se është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit të raportuara në media.

Tutje, FBK ka bërë të ditur se kanë raportuar tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, e themeluar nga MKRS, e gjithashtu edhe tek Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit me të marrë informacionin.

Ndër të tjerash, në njoftim thuhet se FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpreson në zgjidhjen e shpejt të rastit dhe sjelljen përpara drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në këto ngjarje.

Komunikata e plotë:

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media.

Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA.

FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë.

Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona.

Në frymë të kësaj, FBK është institucioni i parë sportiv në vend që ka të angazhuar edhe Personin për Integritet, me mandat për të luftuar këto dukuri dhe të gjitha aspektet negative në basketbollin tonë, si dhe ka zhvilluar disa kampanja kundër dukurive negative në basketboll.

Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund!

Arben Fetahu

Kryetar

Federata e Basketbollit të Kosovës

/GazetaSinjaliSport/