image Raporti i Shoqërisë për të Drejtat e Njeriut: Po teprohet me paraburgime në Kosovë

Siguri

Raporti i Shoqërisë për të Drejtat e Njeriut: Po teprohet me paraburgime në Kosovë

news image

Shoqëria Civile për të Drejtat e Njeriut, ka publikuar një raport. “Përdorimi dhe kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit, ka vazhduar në Kosovë gjatë vitit 2020”, kështu thuhet në një raport të publikuar nga shoqëria civile i cili flet për të drejtat njeriut në Kosovë gjatë vitit 2020, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas këtij raporti e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut parashikon që paraburgimi duhet të urdhërohet vetëm kur është i arsyeshëm dhe i nevojshëm, si dhe kur masat e tjera të kufizimit konsiderohen të pamjaftueshme.

“Monitorimi i QKRMT-së tregon se paraburgimi po përdoret në mënyrë të tepruar në Kosovë, shpesh pa i kushtuar vëmendje e duhur rrethanave të rastit. Sipas QKRMT-së, rreth 70 për qind e të ndaluarve në Kosovë, përfshirë të paraburgosurit, nuk kanë një vendim përfundimtar të gjykatës” thuhet në këtë raport.

Më tutje theksohet se ‘që nga viti 2015, QKRMT-ja ka dorëzuar rreth 50 parashtresa në gjykata të ndryshme në Kosovë duke ngritur shqetësime në lidhje me praktikën e urdhërimit dhe zgjatjes së paraburgimit, e cila, sipas mendimit të saj, ka rezultuar në “paraburgim të stërzgjatur dhe vetëm sipërfaqësisht të justifikuar”.

Situatën sipas këtij raporti e përkeqësojnë më tej vonesat në procedurat gjyqësore të shkallës së parë dhe një numër i konsiderueshëm i rasteve që po kthehen për rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Kosova ende nuk ka krijuar një mjet juridik efektiv, përfshirë kompensimin, për të adresuar një ndërhyrje të tillë në të drejtën për liri dhe siguri.

“Në vitin 2019, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në një rast që kishte të bënte me disa aspekte të së drejtës për liri dhe siguri të personit, vlerësoi se zgjatja e paraburgimit pa shqyrtim të vazhdueshëm dhe të individualizuar të rrethanave ishte shkelje e të drejtës për liri dhe siguri të personit. Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse gjykatat e Kosovës do ta zbatojnë me konsekuencëkëtë standard të ri, i cili kërkon që gjyqtarët të bëjnë një vlerësim të individualizuar të të gjitha rrethanave përkatëse në secilën rast”, është thënë mes tjerash në këtë raport.

Raporti i publikuar nga shoqëria civile ofron një pasqyrë të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë në vitin 2020, përfshirë problemet dhe sfidat kryesore për realizimin e të drejtave të njeriut si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ndikimin e pandemisë COVID-19 në të drejtat e njeriut.

Raportin e plotë e gjeni këtu.

 /Gazeta Sinjali/