image Raporti i Progresit: Shqetësim serioz, opsioni për rivlerësimin e plotë dhe të njëhershëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Drejtësi

Raporti i Progresit: Shqetësim serioz, opsioni për rivlerësimin e plotë dhe të njëhershëm të prokurorëve dhe gjyqtarëve

news image

Komisioni Evropian, në raportin e fundit të vitit 2021 për Kosovën, ka vlerësuar se propozimi i Qeverisë Kurti për rivlerësimin e plotë dhe të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, në kuadër të procesit të vettingut, paraqet një burim shqetësimi serioz.

“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.”

Sipas këtij raporti, një proces i tillë do të duhet të konsiderohet vetëm si një “masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”.

Komisioni Evropian në këtë raport ka cilësuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i ngadalshëm dhe me ndikim politik.

“Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin”, thuhet në raport./Gazeta Sinjali/

Kosovo-Report-2021