image Raporti i OKB-së për terrorizmin thekson riatdhesimin e shqiptarëve

Siguri

Raporti i OKB-së për terrorizmin thekson riatdhesimin e shqiptarëve

news image

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron një valë sulmesh terroriste brenda fundit të vitit. Në një raport të Këshilli të Sigurimit, specialistët theksojnë se lëvizjet ekstremiste islamiste vijojnë të përbëjnë një kërcënim serioz në botë.

Autorët ngrenë shqetësimin për rreth 30 mijë luftëtarë të cilët që nga viti 2004 i janë bashkuar kalifatit të ISIS, al-Kaedës apo grupeve të ngjashme. Mendohet se rreth 2 mijë ekstremistë  janë rikthyer vetëm në Europë,  të cilët po ndikojnë në radikalizimin e rrethit të afërt ku jetojnë, te të burgosurit, të përbuzurit ose të nënvlerësuarit nga shoqëria.

Në raport përmendet edhe rasti i kthimit të mbi 100 shqiptarëve të Kosovës nga Siria në muajin prill,  mes të cilëve 32 gra dhe 74 fëmijë familjarë të luftëtarëve.

Ndërkohë, mësohet se nuk kanë qenë të suksesshme programet e ç’radikalizimit të personave që  janë kapur teksa luftonin për grupet xhihadiste.
Shumë prej tyre vuajnë dënime të gjata me burg dhe mbeten një rrezik për sistemin penal dhe tërë shoqërinë nëse lirohen.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës,  e cila ka realizuar kthimin e mëse 100 shqiptarëve të Kosovës nga Siria gjatë muajit prill, ka premtuar riintegrimin e plotë të tyre në shoqërinë kosovare, por deri më tani nuk është  parë ndonjë plan konkret veprimi.

Sipas raportit të OKB-së, grupi ISIS ende mendohet se ka akses në financa që shkojnë deri në 300 milionë dollarë, dhe po përdor propagandën për ta ruajtur reputacionin e vet si një nga grupet terroriste kryesore të botës.