Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.
Sipas raportit, Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive dhe mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem.
“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të këtij raporti.
Po ashtu, në raport citohen OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, për të cilat thotë se “pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor që të ndiqet penalisht korrupsioni, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime.”
“Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar për korrupsion ishte shpesh i butë. Instituti raportoi se aktakuzat shpesh dështonin sepse prokurorët ngritën akuza të pasakta ose bënë gabime procedurale.”