image Raportet Kosovë-Çeki, Haradinaj nuk shkon në Pragë

Kosovë

Diplomaci/ Raportet Kosovë-Çeki, Haradinaj nuk shkon në Pragë

news image

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, nuk do të udhëtojë në Pragë, për të marrë pjesë në Samitin e Vishegradit. Ndonëse ishte planifikuar që të udhëtonte drejt kryeqytetit çek, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Nga zyra e kryeministrisë nuk janë lajmëruar për ta konfirmuar anulimin e vizitës së Haradinajt në Pragë, por nga ministria e jashtme kanë folur për anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Vishegradit.

Jetlir Zyberaj, këshilltari politik i Behgjet Pacollit, ministrit në detyrë të punëve të jashtme, ka thënë për Gazetën Sinjali, se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Vishegradit, nuk lidhet me deklaratat e fundit të presidentit çek, Millosh Zeman, dhënë në Beograd për Kosovën.

“Aq sa kam unë njohuri kryeminisitri Ramush Haradinaj, e ka anuluar shumë kohë më parë pjesëmarrjen në këtë samit, dhe nuk besoj që kjo ka lidhje me deklaratat e presidentit Çekisë për Kosovën të dhëna në Beograd. Por, për ta konfirmuar këtë ju lutem kontaktoni me zyrën e kryeminsitrit sepse unë nuk jam zëdhënës i qeverisë” , ka thënë Zyberaj për Gazetën Sinjali.

Anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Vishegradit, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Qeverisë çeke, e cila ka thënë se “Kosova e ka anuluar pjesëmarrjen në samitin ku marrin pjesë udhëheqës të Ballkanit Perndimor”.

Derisa në Kosovë nuk duan ta lidhin anulimin e pjesëmarrjes së Haradinajt në Samitin e Vishegradit me deklaratat e presidentit të Çekisë, nga atje raportohet se është pikërisht deklarata e presidentit Millosh Zeman për tërheqje të njohjes është arsye e anulimit të pjesëmarrjes nga ana e Kosovës.

Në Samitin e Vishegradit, përveç Çekisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, marrin pjesë kryeministrat edhe të Ballkanit Perëndimor./Sinjali/