Një raport i ri i publikuar nga Ekipi Shumëpalësh për Monitorimin e Sanksioneve (MSMT) ka zbuluar ndihmën e gjerë ushtarake që Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë gjatë vitit të fundit, duke shkelur embargon ndërkombëtare të armëve të vendosur nga OKB, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024 Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë rreth 9 milionë fishekë, qindra raketa balistike dhe 3000 ushtarë, duke i shtuar atyre mbi 11 000 ushtarë të dërguar në vitin 2023. Municionet dhe armatimi janë përdorur për sulme në qytete si Kievi dhe Zaporizhzhia.
Në këmbim, Rusia ka furnizuar Penianin me sisteme të avancuara mbrojtëse, raketa kundërajrore, teknologji për luftë elektronike, si dhe naftë të rafinuar. Gjithashtu, Rusia ka ndarë të dhëna teknike që kanë përmirësuar ndjeshëm saktësinë e raketave balistike të Koresë së Veriut.
Raporti thekson dy pasoja kryesore të këtij bashkëpunimi: e para, Koreja e Veriut po forcon kapacitetet e saj ushtarake të ndaluara nga OKB; dhe e dyta, Peniani po fiton përvojë të drejtpërdrejtë në luftë, çka përbën rrezik për stabilitetin rajonal dhe global.
Raporti është mbështetur nga të dhëna të mbledhura nga 11 shtete, përfshirë SHBA, Britaninë, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë, si dhe organizatat OSC dhe CAR. Këto gjetje përforcohen edhe nga deklaratat e zyrtarëve rusë dhe ukrainas, që konfirmojnë praninë e ushtarëve koreanë në rajonin e Kurskut deri në janar të këtij viti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!