Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka nisur hetim ndaj Ramiz Kelmendit, ai dyshohet për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”. Pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi, ka deklaruar publikisht se do të lobojë për PDK-në dhe se votën për këtë subjekt do t’ia kërkojë edhe punëtorëve të tij.
Para dy ditësh ai ka ftuar në mbledhje të veçantë punëtorët e ETC 1 dhe ETC 2 në Prishtinë, të cilëve ua ka kërkuar votën për PDK-në dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Kadri Veselin.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Ramiz Kelmendin, ai komenton shkurtë hetimet e nisura ndaj tij.
“Jam jashtë Kosovës…Nëse ka çfarëdo ftese (për intervistim), kam obligim të paraqitem, do t’i kryej obligimet e mia”, tha Kelmendi për Gazetën Sinjali.
Për hetimet e inicuara ndaj tij, Kelmendi thotë:
“Krejt çka kam të drejt kushtuetuese do e bëjë, krejt çka është me ligj dhe kushtetutë do e bëjë”, tha ai.
Theksoi se ndodhet në Stamboll për shkak të kontrollave të rregullta mjekësore që i ka atje.
Ndryshe, zyrtarja për informim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se Policia e Kosovës është autorizuar për intervistim të Ramiz Kelmendit.
“Mund të konfirmoj se ndaj personit që ju po i referoheni janë ngritur hetimet si dhe është autorizuar Policia e Kosovës për intervistim”, ka deklaruar Ulaj për Gazetën Sinjali.
Njoftimi i Prokurorisë:
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore të Prishtinës.
Kujtomë se, biznesmeni Ramiz Kelmandi, mbanë rekordin si njeriu që ka ndërruar më së shumti parti në një kohë shumë të shkurtër. Për dy vjet, ai kishte kaluar nëpër tri parti politike,AAK-PDK, LDK, dhe tash së fundmi sërish iu kthye, PDK-së, duke e mbështetur kandidaturën e Kadri Veselit për Kryeministër./Gazeta Sinjali/