Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani ka dalë në konferencë për media bashkë me kryeministrin Avdullah Hotin dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn.
Një gazetar e ka pyetur atë për qëndrimin e tij në një restorant në oborrin e QKUK-së para rreth një muaji, kur bizneset e gastronomisë ishin lejuar të shërbenin vetëm në formën “merre me vete”.
Ramadani ka thënë se kishte shkuar të ushqehej pas 20 orëve punë, raporton Gazeta Sinjali.
“Nëse e drejtë elementare e njeriut është të jetojë dhe të ushqehet, unë kam shkuar të ushqehem pas 20 orëve punë”, ka thënë Ramadani.
Ministria e Shëndetësisë pati mbyllur restorantet dhe kafiteritë në Kosovë pas shfaqjes së rastit të parë pozitiv me COVID-19 më 13 mars. Ky vendim, sikurse të gjitha kufizimet tjera të vendosura nga MSH, ishin marrë me rekomandim të Institutit Kombëtar.
Nga 18 maji, MSH kishte lejuar bizneset e gastronomisë që t’i shërbenin klientët në formën “merre me vete” dhe ky vendim nuk kishte ndryshuar ende kur Ramadani u fotografua duke qëndruar në restorantin që s’po e përfillte këtë formë të funksionimit. /Gazeta Sinjali