image Rama, Vuçiq e Zaev i drejtohen Gjermanisë: Shpresojmë se do ta pranoni Ballkanin e Hapur

Rajon

Rama, Vuçiq e Zaev i drejtohen Gjermanisë: Shpresojmë se do ta pranoni Ballkanin e Hapur

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kërkojnë mbështetjen e Gjermanisë për nismën e tyre të quajtur “Ballkani i Hapur”.

Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung botoi një tekst që Rama, Vuçiq e Zaev e kanë përpiluar së bashku për të kërkuar mbështetjen e qeverisë së re në Berlin.

Në tekstin e nënshkruar nga krerët e tri shteteve thuhet se “Shpresojmë që qeveria e re në Gjermani të pranojë nismën e Ballkanit të Hapur si një kontribut për zbatimin e plotë të Procesit të Berlinit”.

“Evropa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë pjesë integrale e kontinentit dhe këtij vizioni, kanë qenë jashtë për një kohë të gjatë. Dëshira e popullit tonë për t’u pranuar nga anëtarët e BE-së është mohuar vazhdimisht nga politikat e brendshme të vendeve anëtare, duke mos përmbushur premtimet e tyre dhe duke u frikësuar nga e ardhmja”.

“Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha. Si udhëheqës politikë të këtyre vendeve, ne ose mund të ankohemi për këtë – ose të marrim masa kundër tij. Për këtë të fundit kemi vendosur”, thuhet në tekstin e publikuar në FAZ.

Sipas të tre liderëve, “Ballkani i Hapur” ka rezultuar efektiv dhe i dobishëm në tejkalimin e sfidave të pandemisë. Ata shkruajnë se nisma është e hapur edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Iniciativa jonë, të cilën ne e quajmë Ballkani i Hapur , ka rezultuar efektive dhe e dobishme në tejkalimin e kohërave shumë të vështira të pandemisë. Edhe pse nisma e Ballkanit të Hapur deri më tani përfshin vetëm Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne e shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ftojmë edhe një herë të gjithë fqinjët tanë të bashkohen dhe t’i ofrojnë popullatës së tyre të mirat që ne i ofrojmë popullit tonë”, apelojnë Rama, Vuçiq dhe Zaev.

Të tre liderët shprehën shpresën se qeveria e re në Gjermani do të pranojë dhe mbështesë nismën e Ballkanit të Hapur si një kontribut për zbatimin e plotë të Procesit të Berlinit. Sipas tyre, këtë nismë tashmë e kanë mbështetur disa krerë shtetesh dhe qeverish.

Nënshkruesit e tekstit e përfundojnë kërkesën për mbështetje me këtë fjali: “Iniciativa jonë për Ballkanin e Hapur është një hap i madh drejt anëtarësimit në BE. BE-ja duhet të mbështetet”./GazetaSinjali/