Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.
Ai, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ “shiptari”, ka thënë se kryeministri Edi Rama po i vazhdon përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
“Kjo është përsëritje e një gënjeshtre të ‘Shqipërisë së Madhe’, kinse vjen në formë të natyrshme, ndërsa bashkimi i serbëve në një shtet është kërcënim për paqen”, thuhet në deklaratën e ministrit Vulin.
Vulin ka shtuar se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një postimi në Twitter, iu drejtua presidentit serb Aleksandar Vuciq me fjalët “shpresoj se kjo është një shaka dhe kjo mënyrë e të menduarit duhet të dënohet”.
“A është kjo e vërtetë apo është një meme (shaka) që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim!”, tha Rama.
Ndryshe, Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila u mbajt në Tiranë të premten, u dakorduan për një qeverisje të përbashkët strategjike mes dy shteteve. / Gazeta Sinjali /