Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë, ku do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar mbi bashkëpunimin dypalësh dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Takimi, që do të mbahet në Pallatin Elysee në Paris, vjen në vazhdën e kontakteve të vazhdueshme mes dy liderëve gjatë viteve të fundit.
Në agjendën e bisedimeve pritet të jenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, reformat e ndërmarra nga Tirana, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Po ashtu, pritet të diskutohen investimet franceze në sektorët e energjisë, infrastrukturës, transportit, arsimit dhe mbrojtjes, si dhe projektet që po mbështeten nga institucionet financiare franceze në Shqipëri.
Vizita konsiderohet një tjetër hap në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Parisit, në një kohë kur Shqipëria synon avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!