Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka shfuqizuar sot vendimin për subvencionimin e qytetarëve që kanë qenë të infektuar me COVID-19.
Vendimi që ishte marrë gjatë qeverisjes së Shpend Ahmetit është shfuqizuar sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Kështu prishtinasit që infektohen me COVID-19 nuk do të kompensohen më me para nga komuna e tyre.
Më 26 vota pro, 18 vota kanë qenë kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për propozim-vendimin për shfuqizimin e vendimit të datës 26 nëntor 2020 për subvencionimin e qytetarëve të komunës së Prishtinës të infektuar me COVID-19.
VV-ja nuk e përkrahu këtë vendim në mbledhjen e sotme. Gëzim Sveçla tha se VV nuk e përkrah ndërprerjen e subvencionimit duke e konsideruar të padrejtë.
“Mendojmë se është e padrejtë që personat që janë infektuar tash prej janarit e këtij viti, të ua ndalojmë këtë subvencion. Kërkojë nga kryetari dhe të gjithë kolegët këtu që me na përkrah mos me ndërpre këtë subvencion, me gjetë mënyra alternative, që në këtë kohë të vështirë. Ne si LVV-së jemi kundër këtij shfuqizimi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari Përparim Rama tha se në kohën kur është marrë ky vendim, ka qenë situatë tjetër me pandeminë.
Rama paralajmëroi se do të krijohet një grup punues për ta analizuar gjendjen dhe që të ndihmohen vetëm personat që kanë nevojë
“Gjendja para dy viteve me pandeminë ka qenë më ndryshe se sot. Ideja për me shfuqizu këtë pikë është se nuk diskriminon askënd. Po mendoj se duhet më bë një grup punues kujt duhet me i ndihmu, e kush nuk ka nevojë”, u shpreh kryetari Rama.
Ndërkaq Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i doli në krah idesë së kryetarit Rama që të vlerësohet gjendja dhe të formohen komisione tjera.
“Subvencionimi me 50 euro për ne nuk ka qenë korrekt as në atë kohë sepse ka qenë shumë simbolike. Ne kohen kur kemi bisedu për këtë subvencionim para dy vitesh, kanë qenë tjera rrethana, dhe tjera argumente. Mendoj mendimin e njëjtë me kryetarin që ne duhet formojmë komisione tjera, për të vlerësuar gjendjen pandemike dhe pastaj me i pa format”, deklaroi Retkoceri.
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte marrë vendim që t’i ndahen 50 euro për shpenzime shëndetësore për çdo të infektuar dhe 100 për pensionistët që infektohen me këtë virus.