Sot, në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste.
Kjo mbledhje merr një rëndësi të veçantë pasi kryesocialisti Rama, i cili fitoi mandatin e tretë qeverisës, pritet të zbulojë emrat e kabinetit të ri qeveritar.
Deri tani ai ka konfirmuar se pjesë e kabinetit do të jetë Elisa Spiropali, ndërsa ka kritikuar punën e bërë nga Ministria e Turizmit, kundrejt menaxhimit të mbetjeve urbane përgjatë sezonit turistik, si dhe ministria e Arsimit që sipas Ramës, nuk kanë plotësuar pritshmëritë, duke vënë në pikëpyetje fatin e ministrave përkatës në qeveri.
Nga ana tjetër, Rama në mbledhjen e fundit që zhvilloi me ministrat vlerësoi në mënyrë të veçantë ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë, si dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, të cilat me shumë gjasa pritet të rikonfirmohen në kabinetin e ri.
Rendi i ditës:
Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:
I. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.
II. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.
III. Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë./Gazeta Sinjali/