image Rama për koncertin e Kanye West në Tiranë: 4 milionë eurot janë investim, jo shpenzim

Shqipëri

Rama për koncertin e Kanye West në Tiranë: 4 milionë eurot janë investim, jo shpenzim

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish për koncertin e artistit Kanye West që do të mbahet këtë të shtunë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një ngjarje me rëndësi për promovimin ndërkombëtar të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga skena e përgatitur për koncertin, duke shkruar se “stadiumi i koncertit është gati” dhe se kjo ngjarje do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër hartë globale.

Kreu i qeverisë ka komentuar edhe kritikat për fondin prej 4 milionë eurosh të ndarë për organizimin e koncertit përmes një akti normativ, duke thënë se kjo shumë nuk duhet parë si shpenzim vetëm për një mbrëmje.

“Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, ndërkohë që vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotele, apartamente, restorante, bare, dyqane e taksi”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, një koncert i përmasave të tilla tejkalon aspektin artistik dhe shërben si një mundësi për marketing ndërkombëtar të Shqipërisë, duke ndikuar në turizëm dhe ekonomi.

“Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj”, ka deklaruar kryeministri shqiptar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/