Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se marrëdhënia e tij me kryeministrin e Serbisë është si rezultat i pozitave politike, dhe pozitave gjeografike, që sipas tij, janë fqinj dhe fqinjt nuk mund të zgjidhen.
“Marrëdheniet e mia me Serbinë, janë si rrjedhojë e pozitës time si kryeministër. Ne jemi në luftë diplomatike, kjo nuk diskutohet, por ama duke ndarë një ide se këtu duhet ecur. Ti nuk e zgjedh fqinjin, po të kishim mundësi të zgjidhnim fqinjët, besoj se të gjithë popujt këtu në rajon do të kishin zgjedhur fqinj tjerë. I ke aty përballë dhe në një proces ti nuk shikon sa i mirë sa i dëlirë sa bujar sa i tillë është tjetri, siç shikon kur do të vendosësh për një ndryshim”, tha Rama.
Rama gjithashtu theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të veprojnë në bazë të interesave politike dhe jo të vlerësojnë kush është i mirë e kush i keq.
“Ti shikon interesin, kush është interesi ynë dhe i lexon interesat e tjetrit. Aleksandar Vuçiqi është president i Serbisë, është aty për të mbrojtur interesat e Serbisë dhe patjetër që shfrytëzon çdo hapësirë për të bërë çdo manovër në funksion të këtij interesi. E ka arritur falë dobësisë sonë të madhe. Ne duhet të veprojmë me strategji, sepse deri tani kemi humbur shumë, kemi humbur terren sepse jemi barrikaduar gabim. Taksa 100% ishte një vendim i cili në çdo aspekt nuk ishte koha e duhur”, u shpreh Rama në Rubikon./ Gazeta Sinjali/