Komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, nga ora 18:00 e së premtes, janë futur në karantinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Gazetës Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për vendimin e Serbisë i cili ishte marrë gjatë ditës së djeshme, me ç’rast është lëshuar urdhri që Mitrovica Veriore dhe Zveçani të futen në karantinë dhe të izolohen 210 qytetarë nga disa komuna të Kosovës.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha se vendimi është marrë nga shtabi i krizës.
Karantina do të thotë se asnjë qytetar nuk do të lejohet të dalë e as të hyjë në këto hapësira, tha Rakiq.
Ai tha se ndalesa nuk vlen për nevojat mjekësore, prodhimin dhe furnizimin me ushqime dhe barna.
Përjashtim bëjnë edhe ata që ofrojnë shërbime që lidhen me pandeminë e koronavirusit, tha Rakiq.
Në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan janë 16 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa priten rezultatet edhe për rreth 120 të tjerë./Gazeta Sinjali.