Pas zhvillimeve të fundit në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok sot është deklaruar edhe kryetari i Listës Serbe.
Ish-ministri për Kthim e Komunitete Goran Rakiq, theksoi se gjithçka që duan është paqja.
“Nuk i shkon askujt kur flasim për Asociacionin e Komunave Serbe. Kërkojmë vetëm që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen. Tri pika kanë mbushur xhamin: shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi për heqjen e targave serbe dhe fakti që AKS ende nuk është formuar”, tha Rakiq.
Kreu i Listës Serbe, më tej theksoi se Ivan Todosijeviq është me ata, i cili u dënua për fjalën e tij.
“Njësitë Speciale të Policisë po na ngacmojnë vëllezërit, motrat, janë katër baza të reja. Na ndaluan vaksinimin, zgjedhjet, referendumin, qëlluan Sreçko Sofronijeviqin, Dragica Gašić është e ndaluar të blejë bukë. Ka pasur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, dhe se të kthyerit nuk janë të mirëpritur”, tha Rakiq.
Kryetari i Listës Serbe theksoi se nuk kanë ku të shkojnë dhe shpreson se nuk do t’i duhet serbëve të mbrohen.
“Torturat që po i bën Prishtina njerëzit nuk i durojnë më. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera. Populli çuditet pse duhet të paguajmë për haraç dhe zullum. Nuk e paguam te turqit, nuk e duam as Kurtin”, tha Rakiq.