image Raketat e Libanit plagosin 11 persona në Izrael

Botë

Raketat e Libanit plagosin 11 persona në Izrael

news image

Raketat e nisura nga Libani kanë plagosur 11 persona në qendër të Izraelit, të shtunën, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

Luftimet mes forcave izraelite dhe grupit libanez Hezbollah, janë përshkallëzuar prej shtatorit, dhe shpresat për një armëpushim të shtyrë përpara nga Shtetet e Bashkuara, veçse janë zbehur.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

“Kemi dalë jashtë dhe pamë pluhur, fëmijë duke bërtitur, gra duke bërtitur dhe të gjithë jemi nisur te shtëpia e goditur”, ka thënë Qasim Mohab, banorë i Tiras, ku është hedhur raketa.

“Ne arritëm t’i evakuojmë personat që ishin brenda shtëpisë dhe falë Zotit, jemi bekuar sepse asnjëri nuk është vrarë”.

Në kohën e goditjeve nga raketat, Hezbollahu ka thënë se e ka shënjestruar një bazë ushtarake në paralagjet e Tel Avivit.

Shërbimet ambulantore të Izraelit kanë thënë se 11 persona janë goditur nga predhat.

Sirenat ajrore janë dëgjuar në veri të Izraelit teksa janë kryer sulmet prej Libanit, ka thënë ushtria izraelite.

Të premten, autoriteet shëndetësore të Libanit kanë thënë se 52 persona janë vrarë në sulmet izraelite në dhjetëra qyteza të rajonit Baalbek, raporton REL.

Ushtria izraelite ka thënë të shtunën se ka vrarë dy komandantë të Hezbollahut në rajonin e Tiras, të premten. Hezbollahu nuk i ka komentuar këto deklarata.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka nisur të sulmojë Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin – po ashtu të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

/GazetaSinjali/