image Raka tregon se a do të ketë pushime verore këtë vit

Kosovë

Shëndetësi/ Raka tregon se a do të ketë pushime verore këtë vit

news image

Mikrobiologu Lul Raka thotë se Kosova është në rrugë të mbarë për të mbyllur fazën e parë të koronavirusit.

Kriza sipas tij është menaxhuar mirë, derisa ka bërë thirrje që të vazhdohet të respektohen këshillat e IKPSHK-së dhe MSH-së.

“Mendoj që jemi në rrugë të mirë që të përfundojmë këtë cikël të pandemisë. Rezultatet e ditëve të fundit kanë qenë të pritshme sepse ka pasur lirim të masave, ka pasur qarkullim më të madh të njerëzve dhe është pritur një rritje. Mirëpo kjo rritje ka qenë e menaxhueshme”, thotë Raka për RTV21.

Ai shoti se “Menaxhimi ka qenë efikas dhe unë i përgëzoj të gjitha nivelet e kujdesit parësor, por jo vetëm institucionet e kujdesit shëndetësor, por edhe qytetarët e Kosovës që iu kanë përmbajtur në pjesën më të madhe të rasteve këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKPSHK’së”.

“Kujdesi duhet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim pa marrë parasysh që ka numër të vogël sepse gjatë kësaj jave kemi parë një fluks të madh të njerëzve nëpër rrugët e Kosovës në të gjitha qytetet dhe kjo duhet të bëhet me kujdes”, theksoi ai.

Raka thotë se plazhi mund të vizitohet, por me kujdes të shtuar.

“Pjesë e lirimit të masave do të jetë edhe hapja e kufijve mirëpo kjo sigurisht që do të bëhet në bashkëpunim me shtetet e rajonit edhe prioritet normal që do të jetë Shqipëria. Për pushime nuk ma merr mendja që do të ketë fluks të pushuesve nga Kosova në Shqipëri. Autoritetet e Shqipërisë s’besoj që do ta lejojnë një gjë të tillë sepse ende është herët për një fluks të tillë masiv. E kuptoj popullatën e Kosovës që duan të gjithë të shkojnë të relaksohen, të shkojnë pak në Shqipëri por mendoj se deri në sezon të verës ka me pasur kohë me rend me shku, prej qershori, korrikut e gushtit”, tha Raka për RTV21.

Ndërkohë, Raka thotë se shumica e ekspertëve në botë janë të bindur se në vjeshtë do të përballemi me një valë të dytë të virusit.

Për këtë ai thotë se vendi duhet të përgatitet dhe se kohë për këtë ka mjaftueshëm.

“Kemi katër muaj për t’u përgatitur. Fillimisht të furnizohemi me teste, pastaj duhet të furnizohemi me respirator, t’i rrisim kapacitetet pse jo, të furnizohemi me pajisje personale mbrojtëse, sepse me hapjen e shërbimeve specialistike edhe në stadin fillestar do të ketë nevojë për pajisje shtesë”, thotë Raka.