Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga Rahoveci, pasi gruaja 67-vjeçare e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën fizike e psikike që ka ushtruar ndaj saj.
Sinjali mëson se viktima ka raportuar se burri i saj J.B., 64-vjeçar pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar atë fizikisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim, për çka u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj ti të iniciohet rasti si “Dhunë në familje”.