image Ragmi Mustafa paditet sërish nga Gjykata e Serbisë për vendosje të flamurit shqiptar në Preshevë

Rajon

Ragmi Mustafa paditet sërish nga Gjykata e Serbisë për vendosje të flamurit shqiptar në Preshevë

news image

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se ndaj tij është ngritur akuzë në Preshevë për shkak të ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e këtij Këshilli.

Mustafa përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kjo padi është ngritur ndaj tij pasi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit ndaj aktvendimit të Gjykatës së Lartë për padinë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin për përdorimin e gjuhës nënçmuese.

Dje, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vranjës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020. Si herave të tjera, akuzohem për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”. Kjo padi ndaj meje ngritet pasiqë kam deponuar ankesën në Gjykatën e Apelit ndaj aktvendimit të Gjykatës së Lartë për padinë time ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vulin, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese ndaj shqiptarëve“.

“Aktvendimi i fundit i Gjykatës së Lartë që ‘legalizoi’ institucionalizimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, si dhe përndjekjet ligjore që pasuan pas padisë sime ndaj Ministrit të Policisë Vulin, dëshmojnë motivet politike të sistemit gjyqësor e prokurorial në Serbi.Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë presionet politike dhe ligjore të pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës”, ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa, i cili merret me të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka ftuar Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe Organizatën për Siguri e Bashkëpunim Evropian që “të mos i mbyllin sytë ndaj pushtetit autorial dhe anti-minoritar në Beograd”.

Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi. Duke mos u zbrapsur politikisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën ligjore, deri në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg”, thuhet në statusin e tij.

Mustafa ishte paditur edhe më parë për “shkelje të përdorimit të stemës, flamurit dhe himnit të Serbisë”, pasi kishte vendosur flamurin kombëtar shqiptar në selinë e Këshillit. /Gazeta Sinjali/