Identiteti i një gruaje të re të gjetur poshtë një blloku kullash në veriperëndim të Londrës 18 vjet më parë, mund të zgjidhet më në fund, sipas Locate International, një organizatë bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar e dedikuar për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.
Organizata bamirëse publikoi një imazh të ri që beson se do të ndihmojë në identifikimin e gruas, e cila mendohet se ka rënë nga kati i 21-të i Wembley Point, një ndërtesë e njohur tani si WEM Tower London, në lumin Brent mëngjesin e së premtes, 29 tetor 2004.
Mësohet se dëshmitarët e kishin parë gruan të dëshpëruar në një ashensor në ndërtesë dhe se më vonë ajo u pa në një kafene në katin e fundit.
Aty u gjet një pikturë e veçantë vaji, që përshkruan dy figura dhe një numër fytyrash, me një boshllëk të bardhë bosh në mes, si dhe një çantë transportuese të zezë me mbishkrimin “CPNY”.
Ajo la gjithashtu një paketë të përdorur me cigare Marlboro, një kopje të gazetës The Guardian dhe një leje autobusi shtatë-ditore të lëshuar në orën 7:07 të mëngjesit të së martës më 26 tetor 2004 në Seven Sisters Road.
Trupi i saj u gjet pak pas orës 9 të mëngjesit.
Gruaja ishte me ngjyrë, e moshës midis 20 dhe 40 vjeç dhe ishte e gjatë rreth 160 centimetra.
Locate International po u bën thirrje atyre që punonin në bllokun e kullës në atë kohë, të japin informacione nëse kanë.
“E vetmja gjë që nuk dimë është se kush është Wembley Point Woman, ose si erdhi ajo në atë vend në atë kohë. Nëse keni ndonjë informacion që mund të ndihmojë – sado i vogël qoftë – mund të jetë vendimtar për zgjidhjen përfundimisht të këtij rasti të trishtueshëm. Ne e dimë se Wembley Point Woman është varrosur në varrezat Carpenders Park Lawn, pranë Watford, në një varr të përbashkët pa emër”, ka thënë Dave Grimstead, themeluesi dhe CEO i shoqatës bamirëse.
“Ne kemi besim se ju mund të na ndihmoni të gjejmë atë emër, 18 vjet më vonë”, ka shtuar ai.