Autoritetet në qytetin francez Toulouse kanë vendosur orë policore për të miturit nën moshën 16-vjeçare gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës që konsiderohen me “rrezik të lartë”, pas trazirave të regjistruara gjatë festimeve të fundit sportive në Francë.
Sipas vendimit, kufizimi do të zbatohet nga ora 22:00 deri në 05:00 për të gjithë të miturit nën 16 vjeç që ndodhen në qendër të qytetit pa shoqërimin e një të rrituri.
Masa u njoftua nga kryetari i bashkisë së Toulouset, Jean-Luc Moudenc, i cili bëri të ditur se vendimi është marrë në koordinim me prefekturën lokale.
Ai sqaroi se ora policore nuk do të jetë në fuqi për të gjitha ndeshjet, por vetëm për ato që autoritetet i kanë vlerësuar si potencialisht të rrezikshme për sigurinë publike, raportoi TF1.
Në mesin e tyre janë të gjitha ndeshjet e kombëtares franceze, si dhe disa përballje të tjera ndërkombëtare, përfshirë Marok–Brazil, Skoci–Haiti dhe Tunizi–Holandë.
Vendimi vjen pas trazirave të dhunshme që shpërthyen në disa qytete franceze pas finales së Ligës së Kampionëve më 30 maj, kur në mbarë vendin u arrestuan rreth 890 persona. Incidentet u shoqëruan me përleshje, dëme materiale dhe një aksident tragjik ku humbi jetën një i ri.
Sipas autoriteteve lokale, masa synon “mbrojtjen e qytetarëve dhe të miturve”, në një periudhë kur është vërejtur rritje e delikuencës tek të rinjtë në qytet.
Toulouse bëhet një nga qytetet e para franceze që ndërmerr një masë të tillë gjatë Kupës së Botës, pas një vendimi të ngjashëm të shpallur më herët edhe në Clermont-Ferrand.
Franca pritet të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në turne të martën kundër Senegalit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!