Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të komunës në Hanin e Elezit.
PZAP e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur, Rufki Suma.
“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Pas këtij vendimi të PZAP në një prononcim për Gazetën Sinjali, ka reaguar Rufki Suma.
“Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë, kjo sepse ne kemi bërë një ankesë dhe kemi bërë njoftim që kandidati i PDK-së i ka vizituar të gjitha vendvotimet e këtyre zgjedhjeve. Informatë të cilën e pohon edhe vetë kandidati i PDK-së kur e pranon për Kallxo që i ka vizituar të gjitha vendvotimet, të gjitha qendrat e votimit në Han të Elezit. Kjo është në kundërshtim me çdo rregull zgjedhore me ligjet në fuqi që janë në Kosovë”, ka thënë ai për Sinjalin.
Tutje ai ka shtuar se nuk do të bëjë fushatë zgjedhore as për zgjedhjet që do mbahen më 14 nëntor.
“Ne mendojmë se nuk ka nevojë të bëhet fushatë, vetëm të shkohet të votohet. Qytetarët të votojnë pa presion, pa ndikim dhe ta japin fjalën e vet. Kushdo që fiton duhet t’i zgjatet dora”, shtoi ai për Sinjalin.
Ai ka treguar se e ka uruar kandidatin e PDK-së, Mehmet Ballazhin, në momentin e parë që është bërë e ditur se ai po fiton në komunën e Hanit të Elezit.