image Qytetarët në kredi për barna esenciale

Kosovë

Qytetarët në kredi për barna esenciale

news image

Barnat e listës esenciale që duhet t`i siguroj shteti, detyrohen t`i blejnë qytetarët. Blerja e tyre është bërë kosto e papërballueshme për xhepin e familjarëve të pacientëve, të shtrirë në Klinikën Intensive në QKUK.

Xhevat Popova, për më shumë se gjashtë javë, e kishte të vëllain duke u trajtuar në këtë klinikë pas një aksidenti të rëndë. Ai thotë se kërkesat e përditshme të mjekëve për t`i siguruar barnat esenciale janë të mëdha. Faturat e barnave për këtë familje kanë arritur në mijëra euro.

”Fatura më e madhe në ditë na ka shku deri në dyqind euro, ndërsa më së paku një ditë kam pagu 40 euro. Me i mbledh krejt për këto gjashtë javë kemi ble barna deri në dy mijë euro”.

Ndonëse familja Popova është në gjendje relativisht të mirë ekonomike, buxheti familjar është i pamjaftueshëm për t`i plotësuar nevojat për blerjen e ilaçeve për familjarin e tyre.

Jemi shumë vëllezër dhe të gjithë kemi dhënë për me mbajtë gjallë vëllain tonë, por prapë s’kishim mundësi me ja dalë. Jemi detyru të kërkojmë ndihmë nëpër rrethin e gjerë familjar sepse i kemi shpenzuar edhe rezervat” thotë ai.

Çdo ditë, nga ora trembëdhjetë, familjarë të shumtë presin para dyerve të kësaj klinike për konsulta me mjekun rreth gjendjes shëndetësore të të afërmve dhe për ta marr recetën e radhës për barnat që detyrohen t`i blejnë vetë.

Artan Zeka, nga Prizreni që kishte ardhur për të 45-ën ditë në vizitë te babai i tij, ofshante derisa merrte recetën e ilaçeve të përshkruara nga mjeku kujdestar.

“S`di qysh ja bëjë, që 45 ditë çdo ditë jam duke blerë barna. Prej 20 euro deri në 120 euro më ka shku fatura ditore. Kjo e para kushton shumë dhe vetëm për sot ja paskan përshkru tetë copa. Prej ditës së parë deri sot ne si familje kemi ble barna deri në 1.735 euro”, shprehet i emocionuar Artani.

Ai tregon që janë detyruar të marrin edhe kredi në një institucion financiar për t`i siguruar ilaçet.

“ I kam marë dy mijë euro kredi për me ja ble babës ilaçet se s’kisha kah me i marr paret. Edhe pse ka qenë kamata shumë e lartë, jam detyru me e i marr. Për 12 muaj kam mi kthy 2.200 euro”.

‘Kemi me u mundu deri në frymën e fundit për me shpëtu vëllain, po harxhojmë çdo ditë prej pesëdhjetë deri në njëqind euro, por s’kemi çka të bëjmë. Po i sigurojmë diqysh, por këtu ka familje që ka hyrë në kredi për të ia blerë barnat për familjarin e tyre”, thotë tjetri, ndonëse nuk dëshiron t`i përmendet emri.

Rrëfime të tilla dëgjojmë çdo ditë nga familjarët e pacientëve, të cilët të dorëzuar para sëmundjes, përballen edhe me telashe financiare për t`i blerë ilaçet që siç thonë ata, shteti duhet t`i sigurojë. Anesteziologu Hysen Hyseni, mjek kujdestar, thotë se shumica e barnave që familjarët detyrohen t`i blejnë janë të listës esenciale. Ai thotë se kjo gjendje e përcjellë këtë klinikë prej vitesh.

“ Ndihemi keq kur detyrohemi me ju dhënë familjarëve recetat me barna që mirë e dimë se kushtojnë shtrenjtë, por s’kemi zgjidhje tjetër. Ne jemi në mes të dy zjarreve, pa ato ilaçe pacientit s`mundet me ju ofru trajtimi i duhur mjekësor”, thekson anesteziologu Hyseni.

Nga drejtoria e SHSKUK-së, thonë se furnizimi me barna nga lista esenciale është relativisht i mirë. Zyra për informim i është shmangur përgjigjes pse familjarët po detyrohen të blejnë barna të listës esenciale, por kanë dhënë informata rreth kostos që shërbimi spitalor ka për një pacient që merr shërbim mjekësor për 24 orë.

Në përgjigje thuhet se “Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar vetëm për barna dhe material shpenzues për një pacient që mjekohet në mjekimin intensiv qendror dhe është i intubuar sillet nga 200 deri në 250 euro për 24 orë  të mjekimit në këtë njësi. Për rastet, shumica e barnave dhe mjekimi  janë siguruar nga ana e institucionit, përderisa disa nga barnat me kosto më të lartë të blera nuk janë në listë esenciale “.

Sipas  SHSKUK-së, buxheti për barna dhe material harxhues nga Lista Esenciale  për vitin 2019  është 24 milionë e 850 mijë. Buxheti shpenzuar për blerje të barnave dhe materialit harxhues për periudhën janar – korrik të këtij viti është shpenzuar rreth dhjetë milionë euro apo 43.49 për qind e buxhetit të përgjithshëm.

Që nga paslufta, institucionet përkatëse asnjëherë nuk kanë arritur që listën esenciale të barnave ta përmbushin njëqind për qind. Ajo ka arritur të plotësohet më së shumti deri në gjashtëdhjetë e pesë për qind.  /Sinjali/