image Qytetarët më së shumti të kënaqur me punën e Osmanit, Konjufca në vendin e dytë e Kurti në të tretin

Politikë

Qytetarët më së shumti të kënaqur me punën e Osmanit, Konjufca në vendin e dytë e Kurti në të tretin

news image

Qytetarët e Kosovës më së shumti janë të kënaqur me punën e presidentes Vjosa Osmani, në krahasim me krerët tjerë shtetërorë. Megjithatë, sipas raportit ka rënie të kënaqshmërisë edhe me punën e presidentes. Sipas tyre, kënaqshmëria për punën e presidentes Osmani ka rënë nga 60.3 në 56.2 për qind.

Kështu thuhet raportin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, që të mërkurën publikoi edicionin e 25-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik.

Të dhënat e anketës së opinionit të nëntorit 2023 tregojnë se mesatarisht 42.44% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, duke shënuar rënie për 3.32 pikë përqindje krahasuar me prillin e vitit 2023, kur ky numër ishte 45.76%.

Kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv e kapi vlerën prej 41.8% duke shënuar ulje për 4 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 kur ishte 45.8%. Kënaqshmëria me punën e kryeministrit Kurti është 48.9%, duke treguar ulje për 2.6 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (51.5%).

Kënaqshmëria me Kuvendin ishte në vlerën prej 38.7% krahasuar me 46.4% në prill 2023.

Një rënie pak më e lartë e kënaqshmërisë është vërejtur me Kryetarin e Kuvendit, duke e shënuar vlerën prej 52.2%, krahasuar me 58.3% në prill 2023.

Ndërkohë, është shënuar një rritje për 0.3 pikë përqindje me punën e gjykatave (29.3%) krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29%), dhe për 1 pikë përqindje me punën e Prokurorisë (30%) krahasuar me prillin e vitit 2023 (29%).

Tre çështjet kryesore të raportuara gjatë kësaj ankete të opinionit ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm (8.9%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara. Përqindja e të anketuarve që e vlerësuan varfërinë si problemin kryesor madhor u rrit për 7.5 pikë përqindje, krahasuar me anketën e prillit 2023, kur varfëria (20.1%) u vlerësua si problemi i dytë kryesor. Ndërsa përqindja e të anketuarve që e shihnin papunësinë si çështjen kryesore madhore u ul për 13.5 pikë përqindje krahasuar me prillin 2023 (32.7%).

/GazetaSinjali/