Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, në procedurën para Gjykatës Administrative, mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen t’i miratojnë të gjitha dokumentet e nevojshme nga Ligji për cilësinë e ajrit ambiental dhe ta padisin në procedurë administrative nëse shëndeti i tyre është i rrezikuar.
Kështu ka vendosur Gjykata Supreme në një seancë publike, gjatë javës, ku gjyqtarët diskutuan në lidhje me iniciativën e paraqitur nga Shoqata e Avokatëve nga Ohri, nëse shteti siguron ose jo kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në vendimin parimor thuhet se “konform rregullativës kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti është i detyruar të sigurojë një mjedis të shëndetshëm, përfshirë të drejtën për ajër të pastër, si një të drejtë individuale të qytetarëve, të cilët si palë në procedurë administrative mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen të miratojnë dokumentet themelore të planifikimit nga neni 23 i Ligjit për cilësinë e ajrit ambiental, si akte të përgjithshme”.
“Për realizimin e të drejtës për mjedis të shëndetshëm zbatohen dispozitat e Ligjit për mosmarrëveshjet administrative, të cilat sigurojnë mbrojtje gjyqësore nga aktet dhe veprimet e paligjshme, me të cilat cenohen të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, kur kjo mbrojtje konkrete gjyqësore nuk është parashikuar nga Kushtetutë dhe ligjet e tjera”, thuhet në qëndrimin parimor.
Ky qëndrim i Gjykatës Supreme u mor pasi Gjykata Administrative disa herë ka refuzuar paditë e qytetarëve se Maqedonia e Veriut nuk merr masa për mbrojtjen e mjedisit. Me këtë qëndrim parimor, ngarkohet Gjykata Administrative që të veprojë ndryshe nga praktika e deritashme.