Qoftet janë nga gatimet e njohura të traditës e jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën e Ballkanit.
Në të shumtën e rasteve mund t’i gjeni të përgatitura me mish dhe shija e tyre nuk ka të krahasuar.
Megjithatë, ky gatim është sofistikuar me kalimin e kohës, shpesh mund të keni hasur qoftet me perime, me patate, lulelakër apo brokoli.
Edhe kjo mënyrë e përgatitjes së tyre mund të themi që nuk mbetet aspak pas për nga shija e mirë.
Në recetën e sotme ju sugjerojmë një mënyrë të re, sa të lehtë në përgatitje, aq edhe të mrekullueshme për t’u provuar.
Qoftet me oriz do të kthehen në gatimin tuaj të çdo rasti dhe në shijen më të preferuar të çdo vakti.
Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në vetëm pak minuta.
Përbërësit
300 gr oriz i bardhë
200 gr djathë i bardhë
2 vezë
2 thelpinj hudhër
150 gr bukë e thekur e grirë
piperi i zi
kripë
nenexhik i thatë apo majdanoz
vaj për skuqje
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, filloni me zierjen e orizit. Më pas kullojeni dhe hidheni në një enë të thellë.
Shtoni aty djathin e bardhë të grirë, vezët, kripë, thelpinjtë e hudhrës së grirë, piper të zi, nenexhik të thatë apo erëza të tjera sipas dëshirës tuaj.
Përziejini mirë me dorë të gjithë përbërësit, derisa të formohet një masë e njetrajtshme dhe kompakte. Do të duket si një brumë i madh orizi.
Formoni me duar ose me një lugë gjelle toptha të vegjël të rrumbullakët, njësoj si qoftet normale me mish.
Më pas, kalojini në një pjatë dhe sperkatini me bukën e thekur të grirë në të gjitha anët e tyre.
Ndërkohë, vendosni një tigan në zjarr me pak vaj për skuqje dhe kur vaji të fillojë të nxehet, shtoni një nga një qoftet.
Skuqini mirë nga të gjitha anët derisa të marrin ngjyrë të artë e më pas kalojini në një pjatancë të veçantë.
Shërbejini të ngrohta ose të ftohta, duke i shoqëruar me salcë kosi, gjizë apo sallatra të ndryshme./AW /Gazeta Sinjali/