image QKUK vazhdon ta mbaj veturën luksoze të drejtorit

Shëndetësi

QKUK vazhdon ta mbaj veturën luksoze të drejtorit

news image

Vetura e tipit Volkswagen Touareg, e cila ishte blerë në fund të vitit 2013, në kohën kur në krye të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ishte Njazi Gashi, i kishte kushtuar buxhetit të shtetit në atë kohë afro 60 mijë euro.

Njazi Gashi dhe Curr Gjocaj si drejtorë të QKUK-së, kishin shfrytëzuar këtë veturë për të kryer punët e tyre gjatë kohës sa ishin në udhëheqësi.

Mediat kishin raportuar se në dhjetor të vitit 2013, kur këtë veturë e drejtonte Njazi Gashi, ishin shpenzuar 103 euro karburante në 84 kilometra të kaluara.

Në kohën kur QKUK-në e udhëheqte Curr Gjocaj shpenzimet ishin më të vogla se të paraardhësit të tij, por përdorimi i veturës bëhej në baza ditore.

Këtë veturë e ka trashëguar edhe drejtori aktual Basri Sejdiu, i cili e përdorë më pak se paraardhësit e tij. Sinjali mëson se Sejdiu udhëton me veturën e tij personale çdo ditë në relacionin Mitrovicë- Prishtinë.

“Veturën zyrtare e përdorë vetëm për rastet kur ka takime në ministri, apo institucione tjera zyrtare, kryesisht brenda Prishtinës” – thotë QKUK.

QKUK nuk e konsideron shitjen e kësaj veture, sipas tyre ajo vazhdon të shërbej për drejtorin aktual.

“Vetura është e destinuar për nevoja zyrtare të drejtorit të përgjithshëm dhe si e tillë do të shërbejë, pra do të përdoret  vetëm për takime zyrtare sikurse deri tani”

QKUK nuk është përgjigjur në pyetjet e Sinjalit rreth shpenzimeve të kësaj veture tani dhe sa i kushton buxhetit të shtetit mirëmbajtja e saj.

Ekspertë të fushës së shëndetësisë i thanë Sinjalit se në një vend të varfër si Kosova, veturat e këtij lloji më së paku duhet të jenë pjesë e institucioneve shëndetësore.

Përderisa drejtorët e QKUK-së ndër vite kanë lëvizur me veturë luksoze, përveç mungesës së vazhdueshme të barnave, Sinjali raporton se jo më larg se vitin e kaluar në QKUK ka pasur edhe mungesë të penjve për operim.

QKUK vitin e kaluar është përballur edhe me mungesë të shamponit dhe letrës si kushte elementare për mbajtjen e higjienës personale.Gazeta Sinjali