image QKUK jep detaje për helmimin e verifikuesve: Kruarje, vjellje dhe frikë

Kosovë

Gjendja e pacientëve/ QKUK jep detaje për helmimin e verifikuesve: Kruarje, vjellje dhe frikë

news image

Qendra Klinike Universitare e Kosovës është deklaruar edhe zyrtarisht për shëndetin e 26 verifikuesve të cilët ishin angazhuar t’i numëronin votat.

Përmes një komunikate, QKUK ka treguar shqetësimet e pacientëve që po merreshin me kutitë e votave të dërguara nga Serbia.

“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femrore, dy prej tyre shtatzënë, me  kruarje të duarve të intenzitetit të ultë.  Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë”, thuhet në komunikatë.

Gjendja e përgjithshme e pacientëve vlerësohet si stabile. Ndërkaq nga versioni i këtyre të fundit, aroma e keqe e zarfave ka qenë momenti kur ata kishin filluar të mos ndjeheshin mirë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile.  Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.  
Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore”, thuhet tutje në komunikatë.

Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar. Ndërkaq në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe një prokuror, të cilët po merren me hetimin ligjor të rastit.

Procesi i numërimit të votave është ndërprerë rreth orës 11:00, kur një numër i madh i verifikuesve kishin nisur t’i vërenin pasojat e para nga kundërmimi i zarfeve. /Gazeta Sinjali/