Në Klinikën e Neurologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përfunduar me sukses faza e dytë e trajtimit të pacientëve me epilepsi farmakorezistente përmes pajisjeve të stimulimit të nervit vagus (VNS), shkruan Gazeta Sinjali.
Pas implantimit të pajisjeve më 2 dhe 3 qershor 2025, më 20 qershor u realizua aktivizimi i parë i tyre, pasi u vlerësua se plagët operative ishin shëruar plotësisht.
Aktivizimi u bë nga ekipi i neurologëve të ShSKUK-së, me mbështetje profesionale nga specialisti polak Dr. Filip Tetztaw dhe praninë e familjarëve të pacientëve.
Ky proces shënon një arritje të rëndësishme për ShSKUK-në, pasi tani trajtimi dhe mirëmbajtja e këtyre pajisjeve do të bëhet brenda vendit, duke shmangur udhëtimet jashtë për pacientët dhe familjet e tyre.
Rastet do të monitorohen dhe mbikëqyren nga stafi mjekësor sipas protokolleve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!