Qindra qytetarë serbë janë nisur mëngjesin e së dielës nga Mitrovica e Veriut drejt Graçanicës dhe më pas në Gazimestan për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e Vidovdanit.
Pjesëmarrësit janë transportuar me autobusë të organizuar. Fillimisht, në Graçanicë pritet të mbahet ceremonia fetare, ndërsa më pas aktivitetet do të vazhdojnë në Gazimestan, pranë Obiliqit, ku tradicionalisht zhvillohen tubime për shënimin e kësaj date.
Vidovdani zë një vend të rëndësishëm në traditën dhe historinë serbe, duke u lidhur me Betejën e Kosovës të vitit 1389. Çdo vit, kjo datë shënohet me aktivitete fetare dhe përkujtimore, të cilat mbledhin pjesëmarrës nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera.
Autoritetet e sigurisë kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe ruajtjen e rendit publik gjatë zhvillimit të tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!