image Qeveria vazhdon shpronësimin në Veri të Kosovës, banorët protestojnë

Politikë

Qeveria vazhdon shpronësimin në Veri të Kosovës, banorët protestojnë

news image

Një grup i serbëve lokalë në fshatin Dren, Komuna e Leposaviqit në veri të Kosovës, protestoi të premten për të tretën ditë me radhë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për shpronësimin e tokave në atë zonë, të marrë në mes të janarit.

Në mesin e tyre ishte edhe Sllavisha Jovanoviq, i cili tha se prona e tij është “uzurpuar” me shpronësim, sepse, siç u shpreh, askush nuk e ka pyetur apo informuar për një gjë të tillë.

“Neve na rrezikohen tetë hektarë pyje, pra familjes Jovanoviq. Edhe fqinjëve përtej kodrës u rrezikohen”, tha ai.

Jovanoviq shtoi se për të dhe bashkëfshatarët e tij, problemi më i madh është se në tokën e shpronësuar pritet të ndërtohet një bazë për policinë kufitare të Kosovës.

Në katër komunat në veri të Kosovës të lidhura territorialisht – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – shumica e popullatës është serbe.

Zona përfshihet shpesh nga tensionet, pasi banorët lokalë i kundërshtojnë autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës konfirmoi se në fshatin Dren ka filluar puna për ndërtimin e stacionit policor kufitar, “me qëllim të sigurimit të qytetarëve, menaxhimit të kufirit dhe parandalimit të kontrabandës në atë rajon”.

Çfarë thanë banorët e tjerë të Drenit?

Ivan Josifoviq tha se Qeveria e Kosovës ka marrë “vendim të paligjshëm për shpronësimin e pronës së tij”.

Ai tha se qëllim i protestës së banorëve është tërheqja e vendimit për shpronësim dhe ndalimi i të gjitha punëve për ndërtimin e bazës së policisë kufitare.

“Të gjendet një zgjidhje në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Kundër shpronësimit u shpreh edhe Jovan Millovanoviq, i cili tha se në atë lokacion, pranë varrezave, gjendet edhe një kishë e shekullit XIII.

“Të përpiqemi t’i ndalojmë [punimet]”, tha ai, duke shtuar se ajo që i shqetëson më shumë banorët, është se nuk e dinë saktësisht se çfarë do të ndërtohet.

“Është e pamundur që 80 hektarë të jenë vetëm bazë e policisë kufitare. Çfarë do të bëjë policia kufitare në majë të kodrës”, tha Millovanoviq dhe shtoi se stacioni i policisë kufitare nuk është me interes publik për banorët atje.

Çfarë i parapriu shpronësimit?

Në veri të Kosovës gjenden dy pika kufitare me Serbinë – Jarinja dhe Bërnjaku – por në atë rajon, prej vitesh, shfrytëzohen rrugë alternative dhe ilegale, për të shmangur vendkalimet zyrtare. Pikërisht këto rrugë, sipas zyrtarëve të Kosovës, shfrytëzohen për kontrabandë.

Deri më tash, Policia e Kosovës ka kryer disa aksione kundër kontrabandës me mallra dhe ka mbyllur rrugë alternative që çojnë në Serbi. Aksionet e tilla nuk kanë kaluar pa incidente.

Në korrik të vitit të kaluar, pesë policë të Kosovës janë plagosur, kur kanë ndaluar disa kamionë nën dyshimet për kontrabandë mallrash.

Një aksion anti-kontrabandë ka hasur në kundërshtimin e banorëve në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan edhe në tetor të vitit 2021, kur kanë shpërthyer përleshje, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

Në atë rajon, Dogana e Kosovës ka konfiskuar disa herë mallra të kontrabanduara, kryesisht pije alkoolike dhe joalkoolike, ushqime dhe pajisje të ndryshme teknike./REL/

/GazetaSinjali/