Vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka ngjallur reagime nga Qeveria e Serbisë.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se kjo është hera e pestë që Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë.
“Gjëja më e çuditshme në këtë situatë është se ky ndalim ndodh vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian i bëri thirrje në mënyrë eksplicite Prishtinës që të respektojë marrëveshjet dhe ta lejojë Petkoviqin të vizitojë Kosovën. Unë pyes Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar – deri kur është kështu? Sa kohë mendoni se e toleroni këtë sjellje?”, tha Bërnabiq.
Sipas saj, Petkoviqi ka njoftuar siç duhet për vizitën që planifikonte ta realizonte në Kosovë, shkruan Novosti.
“Kërkoj nga Bashkimi Evropian që të përcaktojë qartë sjelljen e Prishtinës dhe në fund të na bëjë të ditur nëse qëllimi i dialogut është normalizimi i marrëdhënieve dhe sigurimi i një jete normale për popullsinë e saj në Kosovë, apo nëse këto janë bisedime që janë qëllim në vetvete”, tha Bërnabiq.
Ndërkaq, ditë më parë katër ministrave të Republikës së Kosovës, nga autoritetet serbe u është ndaluar vizita që kishin planifikuar të bënin në Luginën e Preshevës. /GazetaSinjali/