image Qeveria s'e përmend çështjen e targave në pesë sukseset e javës

Politikë

Qeveria s’e përmend çështjen e targave në pesë sukseset e javës

news image

Në mesin e pesë ngjarjeve kryesore të javës që lamë pas të Qeverisë së Kosovës nuk figuron vendimi i ri për konvertimin e targave nga ato ilegale serbe në ato RKS. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka publikuar pesë nga ngjarjet kryesore që e karakterizuan javën që e lamë pas.

Kryeziu në një postim në Facebook theksoi se Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas World Justice Project.

“Sivjet shënuam vlerën më të lartë ndonjëherë në indeksin e këtij raporti”, ka shkruar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë, tregoi se është miratuar në Qeveri projektbuxheti për vitin 2023. Në vlerë prej 3.2 miliardë euro, buxheti për vitin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për arsim, shëndetësi, bujqësi e siguri.

Po ashtu ai thekson se Kuvendi miratoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027. I dyti që nga shpallja e pavarësisë, ky dokument identifikon rreziqet, kërcënimet, sfidat për sigurinë e vendit por edhe mundësitë, objektivat strategjike dhe vizionin për të ardhmen.

“U nënshkrua marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë. Krahas rëndësisë ekonomike, këto dy projekte lidhin vendet e banuara shqiptare në dy anën e kufirit”, tha Kryeziu.

Ndërsa sipas tij ngjarja e pestë kryesore e javës së kaluar ishte nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për vazhdimin e përkrahjes financiare në mbrojtje dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

/GazetaSinjali/