image Qeveria në detyrë mbulon shpenzimet e "Kartonit të Gjelbërt" për automjetet që hyjnë në Kosovë

Kosovë

Qeveria në detyrë mbulon shpenzimet e “Kartonit të Gjelbërt” për automjetet që hyjnë në Kosovë

news image

Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, njofton se në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, Qeveria në detyrë, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së polisave kufitare apo siç njihen si “Karton i Gjelbërt”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020.

“Për udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës”, shkruan Gashi në Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.

Postimi i saj i plotë:

Qeveria në detyrë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej rreth 1.26 miliardë euro, të cilën e ka prezentuar Ministri i Financave dhe Transfereve, z.Besnik Bislimi, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së policave kufitare apo siç njihen si “Karton i Gjelbërt”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020. 

Shumë shpesh është premtuar zgjidhja për “Kartonin e Gjelbërt”, por asnjëherë nuk kemi parë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi që prek më së shumti #diasporën tonë. Jam e lumtur që për herë të parë, në vetëm disa javë përgatitje, si qeveri e Kosovës kemi vepruar në këtë drejtim.

Po ashtu, në kuadër të pakos është planifikuar që në 24 muajt në vijim, të emetohen letra me vlerë në masën e 30 milionë eurove tek diaspora jonë. Këto letra me vlerë do të kenë një maturitet afatgjatë dhe do të ofrojnë kushte dukshëm më të volitshme për kursimet e diasporës. Përmes kësaj mase, diaspora do të avancohet në bashkëpronare të procesit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.

Për udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës. /Gazeta Sinjali/