Qeveria e Kosovës sot ka vendosur që ta themelojë mekanizmin për punësimin e komuniteteve jo shumicë Ashkali, Egjiptian dhe Rom, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka deklaruar ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Krasniqi ndër të tjera tha se si ministër i MAPL-së do të sigurohet që numri i përfshirjes së komuniteteve në nivelin qendror dhe lokal të rritet .
“Themelohet mekanizmi për punësimin e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Rom. Sot, në mbledhjen e 81-të, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e mekanizimit institucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për Komunitetet Ashkali, Egjiptian dhe Rom, pra kjo është qeverisja që e premtuam dhe përmes këtyre nismave ky vizion po jetësohet. Përtej premtimeve elektorale dhe fushatës zgjedhore, përmirësimi i kushteve të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Rom është detyrë e imja e përditshme dhe mision i imi i përhershëm. Si ministër i MAPL-së do të sigurohem që numri i përfshirjes së komuniteteve në nivelin qendror dhe lokal të rritet”, ka shkruar Krasniqi.