Qeveria e Kosovës ka shpërfillur rekomandimet e ekspertëve britanikë, me emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sot kabineti qeveritar votoi Fahrie Tërnava-Sheremetin në pozitën e sekretares në MPB, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas ekspertëve britanikë, asnjëri nga kandidatët që ishte përzgjedhur në listën e ngushtë për këtë pozitë, duke përfshirë edhe Tërnava-Sheremetin nuk kanë arritur pikët që të emërohen në këtë post.
Britanikët kanë konstatuar se Tërnava-Sheremeti nuk kishte arritur 70% e më shumë të pikëve, që mund ta bëjnë të kualifikuar për Sekretare të Përgjithshme, shkruan Sinjali.
Megjithatë Qeveria Kurti, në mbledhjen e sotme emëroi Fahrie Tërnava – Sheremetin në këtë pozitë.
Me emërimin e saj, Qeveria Kurti shkeli marrëveshjen me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ishte nënshkruar në qershor 2021.