Qeveria e Kosovës nesër do ta mbajë mbledhjen e radhës, ku pritet të shfuqizohen disa vendime të qeverisë së kaluar.
Në mesin e vendimeve që pritet të shfuqizohen, është edhe ‘dhurata’ që ish-kryeministri Ramush Haradinaj ia kishte bërë këshilltarit të tij, Gazmend Abrashit, shkruan Gazeta Sinjali.
Më 9 tetor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për normën e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë, që përllogaritet duke e përdorur metodën sipas vlerës (ad valorem) dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë me normë 30% në vlerën shitëse me pakicë.
Vendimit të qeverisë së kaluar për akcizën në duhan, më së shumti ia kishe ‘parë hairin’ Abrashi, tani deputet i AAK-së.
Fabrika e vetme që merret me prodhimin e cigareve në Kosovë është “Premium Tobacco Group”, në pronësi të Abrashit. Ai e ka privatizuar fabrikën e Duhanit në Gjilan, në vitin 2013 pas një varg dështimesh për ri-aktivizimin e saj.
Mbledhja e qeverisë së Kosovës, e cila ishte paraparë të mbahej sot në orën 16:00, do të mbahet nesër në orën 12:00. /Gazeta Sinjali/