Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar idetë dhe propozimet që marrëveshja bazike Kosovë-Serbi të zbatohet sipas preferencave të pikave të saj.
Sipas tij, marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve nuk është tryezë suedeze, por ajo duhet të zbatohet në tërësi dhe në mënyrë se sekuencuar.
“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat”.
“Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë”.
“Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan, cili është burimi legal juridik i asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër, Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash unë kam marrë sa kam marrë , dua të marr edhe më shumë por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ky qëndrim i Kurtit erdhi disa ditë pasi presidentja Vjosa Osmani, konsideroi se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.