image Qeveria Hoti zotohet se do të ndërmarrë veprime që mund ta përshpejtojnë liberalizimin e vizave

Politikë

Qeveria Hoti zotohet se do të ndërmarrë veprime që mund ta përshpejtojnë liberalizimin e vizave

news image

Qeveria Hoti konsideron se kriteret për liberalizimin e vizave nuk janë përmbushur ende. Qeveria e re është përgatitur të ndërmarrë veprime për të mundësuar që kosovarët të udhëtojnë pa viza.

Kjo është shprehur në programin qeverisës që qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti e ka miratuar javën e kaluar.

Në pikën 7.2 të këtij dokumenti, mes të tjerash, theksohet se, në veçanti, do të punohet për “rritjen e efektivitetit të gjyqësorit, si parakusht themelor për integrimin evropian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave, duke rritur kapacitetet e gjyqësorit për trajtimin e lëndëve dhe duke respektuar pavarësinë e tij”.

Komisioni Evropian para dy vitesh kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur dy kriteret e fundit për liberalizimin e vizave: Krijimi i një regjistri të hetimeve, vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskimeve lidhur me rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Komisioni kishte miratuar edhe rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën, pasi që ishte vlerësuar se Kosova ka zbatuar të gjitha obligimet e dala nga Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.

Në Program, qeveria ka shprehur synimin se përmbyllja e suksesshme e procesit të liberalizimit të vizave të ndodhë gjatë kryesimit të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE) nga Gjermania. /Gazeta Sinjali/