Policia e Kosovës ka dalë me një reagim ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, që i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se gjoja një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Sipas PK-së, shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.
“Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun.”