3 miliardë e 600 milionë euro është buxheti për vitin 2025, i cili u miratua sot në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.
Gjatë prezantimit të këtij buxheti, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se i njëjti është 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit paraprak dhe është “buxhet më gjithëpërfshirës”.
“Mund të them se në shumicën e ekonomive në botë njëra prej shqetësimeve është rritja e çmimeve, ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin. Tani që kemi uljen e normës së inflacionin mund të them që ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të rritjes ekonomike, e që për vitin e ardhshëm pritet që të jetë 5.6 ne terma real. Sektorët kryesor qe kanë pasur prioritete në buxhetim kanë qenë sektori i mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera. Është një buxhet gjithëpërfshirës”, tha Murati.
Derisa foli në mbledhjen e Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.
Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.