image Qeveria e Kosovës: Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit i drejtë dhe i duhur

Politikë

Qeveria e Kosovës: Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit i drejtë dhe i duhur

news image

Vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës për hapjen e Urës së Ibrit e ka përkrahur sonte Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, Qeveria thekson se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”.

Gjatë ditës edhe msioni i KFOR-it është deklaruar rreth vendimit për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.

Nga KFOR kanë thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i.

Derisa ky vendim ka ngjallur reagime në Serbi, gjatë ditës së djeshme janë deklaruar edhe nga BE-ja.

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani nuk është koha e duhur për ta ndërmarrë këtë veprim.

Në një adresim të tijin nga Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Kurti, Laçak dërgoi mesazhe parandaluese.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, kjo mund të përbëjë një tjetër krizë në vend, derisa shtoi se vitin e kaluar në vazhdimësi Bashkimi Evropian është marrë me menaxhim krizash.

Lajçak ka shtuar se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.

/GazetaSinjali/