image Qëndron Kastrati reagon pas protestës së SBASHK-ut kundër mbylljes së shkollave

Kosovë

Kamenicë/ Qëndron Kastrati reagon pas protestës së SBASHK-ut kundër mbylljes së shkollave

news image

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas protestës së SBASHK-ut përmes së cilës u kundërshtua vendimi i komunës për mbylljen e shkollave në fshatrat e Kamenicës.

Kastrati përmes një postimi në Facebook, i ka sqaruar SBASHK-ut edhe njëherë pse e ka parë të nevojshme të mbyllë shkollat që, sipas tij, janë pothuajse jofunksionale dhe ku vijojnë mësim më pak se pesë nxënës në një klasë.

“SBAShK nuk do t’ia dijë që 40 përqind e shkollave nuk kanë mjedis higjienik; 8 prej tyre nuk kanë toalete funksionale; gjysma e shkollave nuk kanë kabinete të informatikës; vetëm 3 shkolla kanë kabinete profesionale; 24 nga 29 shkollat nuk kanë salla sportive të brendshme; 10 shkolla nuk kanë hapësira rekreative; 8 shkolla nuk kanë qasje të drejtëpërdrejtë në rrugë; dhe asnjë shkollë nuk ka qasje për nxënësit me nevoja të veçanta përveç shkollës në Strezoc, ku kemi një improvizim të përkohshëm. Ndërkohë, Komuna e Kamenicës i ka vetëm 30 mijë euro buxhet për investime kapitale në arsim. Jam kurreshtar për të mësuar nga z. Rrahman Jasharaj se si mund të mbahen 29 objektet shkollore që janë në gjendje të mjerueshme me këtë buxhet. Unë i kam parë këto kushte, i kam pare edhe mësuesit me 5 nxënës e 2 ditarë, njërin për klasën e parë, tjetrin për të katërtën”, ka shkruar Kastrati.

Tutje ai ka fajësuar SBASHK-un për mbrojtje të interesave klienteliste që sipas tij, e kanë sjellur arsimin në këtë gjendje.

“ Shkollën e shohin si objekt, kurse arsimin thjesht si vend pune, pa e vrarë mendjen për cilësinë, dijen e zhvillimin”, ka theksuar Kastrati.

I pari i Kamenicës kishte marrë vendim që 19 shkolla të kësaj komune të mbyllen nga muaji shtator, për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe kushteve jo të mira në këto shkolla./Gazeta Sinjali/