image Qalaj: Dhënia e garancisë varet nga qëndrimi i drejtorit të Policisë dhe vullneti i Qeverisë

Politikë

Qalaj: Dhënia e garancisë varet nga qëndrimi i drejtorit të Policisë dhe vullneti i Qeverisë

news image

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, tani deputet i PDK-së,  është përmendur në njërën nga shkresat e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith në lidhje me garancinë për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Qalaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka komentuar këtë arsye të përmendur nga kryeprokurori i Specializuar dhe ka folur për kapacitetet e Policisë për dhënien e garancisë.

Ish-drejtori i Policisë tha se dhënia e garancioneve varet nga qëndrimi i menaxhmentit të Policisë dhe vullnetit të Qeverisë, duke shtuar se Policia është dashur t’i plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara për garanci.

“Unë mendoj se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet, edhe pse nuk e  di se çfarë është kërkuar nga Specialja dhe cilat kushte i kanë kërkuar. Thellësisht besoj që Policia ka kapacitete që të ofrojë çfardo sigurie që i kërkohet.

Nuk e di se çfarë garancionesh ka dhënë por është dashtë të jap më shumë garancione. Kjo varet nga qëndrimi që ka menaxhmenti i Policisë dhe drejtori i saj. Për shkak të garancioneve që është dashtë me dhënë Policia e Kosovës besoj që varet nga menaxhmenti, drejtori dhe vullneti i Qeverisë.

Po e përsëris që Policia ka kapacitete. Nuk dua të paragjykoj që Qeveria e vendit tim mund të bëjë diçka me qëllim, që ata të mos lirohen. Kjo është absurde. Policia është dashur të plotësojë të gjitha kërkesat e kërkuara“, tha Qalaj për Sinjalin.

Qalaj tha se përmendja e tij dhe fotografisë ku shihet bashkë me Thaçin në shkresën e Speciales, është shkak sipas tij që të kundërshtohet lirimi me kusht, edhe pse, ai thotë se njëjtë do të vepronte me cilindo president tjetër, po të ishte në pozitën e të drejtorit të Policisë.

Ai po ashtu shtoi se Thaçin në atë kohë e ka shoqëruar për shkaqe të sigurisë, gjë që sipas tij s’ka të bëjë me çështje private, shkruan Sinjali.

“E kam parë në media që Prokuroria Speciale ka kërku mu refuzu garancioni për liderët tanë në Hagë. Aty është përmendur një fotografi ku jam me presidentin Thaçi, ish-drejtorin e AKI-së, ish-ministrin Abelard Tahiri dhe ish-ministrin Hamza. Sikur çdo lider, por edhe sot kushdo që kish me qenë, pas asnjë problem, mund të shoqërohen nga krerët e institucioneve të sigurisë, pikërisht për shkaqe të sigurisë.

Presidenti Thaçi atë kohë ka refuzuar pjesën veriore të vendit dhe është interesuar për kushtet e punës dhe problemet që i ka Policia. Unë aty e kam shoqëruar, dhe më pas e ka bërë një vizitë në liqenin e Ujmanit. Besoj që kjo s’ka të bëjë me çështje private. Unë e kam bërë sigurimin që Thaçi të shkojë në pjesën veriore pa asnjë problem, në aspektin e sigurisë.

Ky është një shkak që ata e kanë gjetur. Ata duhet ta dinë që s’jam pjesë e  Policisë, mirëpo po e përsëris edhe sikur sot të isha drejtor, do ta kisha shoqëruar cilindo president të Kosovës, kryeministër apo kryetar kuvendi. Drejtori i policisë është përgjegjës për sigurinë e brendshme të liderëve tanë, ashtu siç është për sigurinë në përgjithësi.  Mos të harrojmë që presidenti i vendit ka të drejtë në çdo moment të takojë krerët e institucioneve të sigurisë. Për mua kjo është krejt normale, s’ka asgjë të keqe.”

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se një fotografi e tri viteve më parë, ka qenë njëra arsyet e përmendura nga Prokurori i Speciales, se nuk beson se Policia e Kosovës mund të garantojë në përpikëri lirimin me kusht të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

/GazetaSinjali/